Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla dhe deputeti i PS, Etjen Xhafaj, inspektuan nga afër punimet për rehabilitimin e kanalit ujitës Peqin-Kavajë që shërben për vaditjen e rreth 8,000 ha tokë bujqësore në bashkitë Peqin, Rrogozhinë dhe Kavajë.
Denaj tha se, kjo është një nga infrastrukturat më të rëndësishme në sistemin e ujitje kullimit në bujqësi.
“Me këtë investim përfundojmë jo vetëm një objektiv të qeverisë për të ndihmuar sistemin, por mbi të gjitha ruajmë 8 mijë hektarë tokë në tre bashkitë e vendit dhe ky është një investim i rëndësishëm”, u shpreh Denaj.
Ministrja tha se, bashkëpunimi me pushtetin vendor është absolut.
“Edhe ne këtë bashkëpunim e shikojmë edhe në këto pjesët e tjera të vogla, që ndoshta në pamje të parë janë ndërhyrje të vogla në kanalet bujqësore, por pa e koordinuar punën së bashku, pushtet qendror-pushtet vendor, ne nuk ia dalim dot që të përfundojmë një vepër 40 km të gjatë, për të gjithë përfituesit që janë pronarët e tokës”, u shpreh Denaj, teksa vuri në dukje impaktin e këtij investimi në mbështetje të fermerëve dhe prodhimit bujqësor.
Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës Erion Veliaj u shpreh se do të ndërmerret edhe një fushatë ndërgjegjësimi nëpër shkolla dhe komunitet për ruajtjen e këtyre investimeve.
“Kur ecën bashkë infrastruktura dhe kultura, vërtet kemi bërë një vepër që do ngelet. Po të kemi mentalitet fitues dhe mentalitet pastërtor për këtë akt patriotik, që është bujqësia dhe turizmi, atëherë dashurinë për atdheun duhet ta shpjegojmë kështu: atdheu është ky investim, sepse me këtë pjesë të atdheut lulëzon mirëqenia e gjithë Shqipërisë së Mesme”, u shpreh Veliaj.
Deputeti i PS, Etjen Xhafaj tha se ky investim përmbush një kërkesë të banorëve të këtyre zonave.
“Është një kanal, i cili e sjell ujin nga Çengela e Peqinit deri në zonën e Syneit. Ka qenë e domosdoshme të bëhej kjo ndërhyrje, e cila prek të gjithë banorët e kësaj zone, duke filluar nga zona e Sinaballit në Rrogozhinë, në Lekaj dhe Gosë dhe Sigurisht, synimi ynë është të vazhdojmë me riparimet, për të kaluar pastaj në sjelljen e ujit në zonën e Luzit të vogël dhe Syneit të Kavajës, e cila në fakt e kompleton këtë vepër që ka shumë dekada që është kështu. Në një farë mënyrë e kthen në efiçencë të plotë tokën”, deklaroi Xhafaj.
Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm mes pushtetit vendor dhe atij qëndror për të çuar përpara projekte të tilla në dobi të komunitetit. Ky kanal është i rëndësishëm për bujqësinë, pasi shërben si burim ujor për funizimin me ujë për ujitje të rrjetit.