Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj prezantoi sot në Komisionin e Financave dhe Ekonomisë, projektbuxhetin e vititn 2024 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Denaj tha se, “vitet e fundit u tregua shumë qartë se mbështetja përmes skemave nacionale synonte mbështetjen e drejtpërdrejtë të fermerëve por njëkohësisht edhe formalizimin e tyre fondi i skemës ka pasur një hop cilësor në dy këto aspekte. Nga 8 mijë fermerët të mbështetur në 2010 sot në 2023 jemi me një mbështetje të 65 mijë fermerëve, kjo falë edhe mbështetjes më të fundit përmes aktit normativ të dhënë nga qeveria shqiptare”.
Këtë vit, theksoi ministrja, me fondet buxhetore janë parashikuar të mbështeten drejtpërdrejtë 68% e të gjithë fermerëve me NIPT në shkallë vendi.
Sipas saj, skemat e mbështetjes janë faktor kyç në mbështetjen e fermerëve.
“Në buxhetin e vitit 2024 janë adresuar 3.3 miliardë lekë për skemën e mbështetjes, por ne parashikojmë të rishikojmë disa elementë të efekshmërisë së skemës, që në buxhet afatmesëm shkon më shumë se fondi i parashikuar këtë vit”, u shpreh Denaj.
Ajo shpjegoi se, nevojat që ne do të depozitojmë në buxhetin afatmesëm shkojnë në gati 8.6 deri 9 miliardë lekë pasi kështu mendojmë që mbështesim në mënyrë të plotë skemat mbështetëse për të gjithë fermerët për të arritur në 100% të plotësimit të nevojave të tyre.
“Ne jemi në një plan pune në MBZHR për ta prezantuar në qeveri dhe kjo mbetet për buxhetin afatmesëm për diskutim. Është shumë e rëndësishme për ne, që skemat të nxisin prodhimin, produktivitetin dhe jo vetëm formalizimin. Skemat mbështetëse në këto vite kanë ndihmuar ndjeshëm formalizimin e ekonomisë megjithatë ne synojmë të shkojmë më tej, drejt fiskalizimit të ndërmarrjeve dhe fermave tona bujqësore dhe për ketë binomi cilësi dhe shkallë është ajo që motivon bashkimin e operatorëve, ndaj dhe skemat nacionale vitin e ardhshëm do të shtojnë vëmendjen në bashkimin e operatorëve sepse kështu do të tejkalojmë disa nga problematikat si fragmentimi i tokës, etj, me të cilat ballafaqohet çdo ditë”, deklaroi Denaj.
Ministrja tha se, “skemat nacionale vitin që vjen janë baza kryesore e mbështetjes së drejtpërdrejtë, ne kemi rialokuar në këtë projektbuxhet një shumë nga mbështetja për IPARD 3, që do të shkojnë në investime në infrastrukturë dhe vepra mbështetëse në bujqësi”