Kina, hi tech në tokën e qytetërimit të lashtë

Kur flitet për Kinën, gjeografikisht mjaft larg Shqipërisë në kontinentin aziatik, shumëkujt në vendin tonë i vijnë në mendje imazhet e miqësisë shqiptaro-kineze të kohës së komunizmit por edhe mallrat e importuara nga tregtarët për tregjet popullore. Pastaj këtyre imazheve u shtohen edhe lajmet ndërkombëtare në ekranet e televizioneve ku Kina raportohet si superfuqi, me bum ekonomik dhe zhvillime interesante në teknologjinë e fjalës së fundit. Të gjitha këto krijojnë një perceptim të largët të këtij shteti, edhe pse marrëdhëniet me Kinën kanë qenë gjithmonë të pranishme, shkëmbimet tregtare kanë vijuar dhe në Shqipëri jeton e punon një komunitet i vogël kinez.
Kur së pari të ftojnë në Kinë, ideja e udhëtimit të largët dhe e një bote të panjohur të mbush më drojë. Kur arrin në Pekin, droja zhduket pasi ky qytet është një nga metropolet më të sigurtë për të udhëtuar dhe peizazhi urban nuk ndryshon shumë nga ai i qyteteve të tjerë milionabanorësh.
Pekini të befason me vibrimet e nje jetese moderne, infrastrukture të hijshme me gratacielat e pafundme të qytetit, rrugët e gjera dhe funksionale, trafik të arsyeshëm. Në rrugë ka gjallëri por jo dyndje siç mund të pritet në një qytet prej më shumë se 21 milionë njerëzish. Rrugët tregtare janë të mbushura me njerëz të cilët frekuentojnë edhe restorantet e kafenetë. Ushqimi kinez, i famshëm në të gjithë botën, nuk të zhgënjen, mjafton të mësohesh me shijen paksa të ëmbël të gatimit.
Nisma e re e Rrugës së Mëndafshit
Kina prej vitit 2017 ka ndërmarrë nismën e rikthimit në jetë të rrugës së lashtë dhe historike tregtare me Evropën, Rrugës së Mëndafshit, një nismë kjo që projektohet si një nga planet më të mëdha të infrastrukturës së shekullit 21 e ku përfitimet do të jenë për ekonomitë në të gjithë botën.
Projekti i Rrugës së Mëndafshit përfshin rrugë, autostrada, korsi përmes deteve, porteve, rrjeteve energjetike, institucioneve financiare dhe kabllove me fibra optike nga Singapori në veri përmes Malajzisë dhe Vietnamit, duke kaluar në perëndim në provincën Xinjang të Kinës, pastaj në Azinë Qendrore dhe Pakistan, duke u lidhur me fushat e naftës të Iranit, në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, për të vijuar me lidhjen e hekurudhave dhe porteve nga Londra në Colombo deri në Xhakarta.
Ky projekt i nisur në vitin 2013, synon të rrisë lidhjen dhe zhvillimin ekonomik përmes 60 vendeve.
Nisma ka për qëllim rritjen e bashkëveprimit mes popujve dhe përfitime për të gjitha shtetet e përfshira.

Shqipëria në Rrugën e Mëndafshit

Shqipëria nënshkroi gjatë pjesëmarrjes në forumin “Një brez, një rrugë” në maj të vitit 2017, Memorandumin e bashkëpunimit mes 2 shteteve, me fokus forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat e transportit, infrastrukturës dhe aspektin financiar. Memorandumi u nënshkrua nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj dhe Drejtori i Komitetit Kombëtar për Zhvillim dhe Reforma He Lifeng.
Kështu në këtë proces të rëndësishëm bën pjesë edhe Shqipëria, me firmosjen e Memorandumit të Bashkëpunimit me palën kineze për këtë nisëm. Ky memorandum shënon mënyrën sesi do të funksionojë marrëdhënia e vendit, sidomos me financuesit duke filluar nga Kina, por edhe nga bankat e ndryshme që i janë bashkuar këtij procesi me projekte konkrete.

Memorandumi i bashkëpunimit, përmban 7 pika, si fuqizimi ekonomik i dy vendeve, forcimi i bashkëpunimit në aspektet e zhvillimit të infrastrukturës, transportit etj.

Niveli i marrëdhënieve me Kinën

Investimet e akumuluara kineze në Shqipëri janë dyzetëfishuar, duke u rritur nga më pak se 20 milionë USD në vitit 2014 në më shumë se 800 milionë USD në fund të vitit 2017. Në vitin 2018, Shqipëria ka hequr vizat për turistët kinezë gjatë sezonit turistik dhe numri i turistëve kinezë që kanë vizituar Shqipërinë është rritur prej 64%, krahasur me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shkëmbimet midis institucioneve ligjvënëse dhe partive të dy vendeve janë aktive, duke u bërë platforma e rëndësishme për rritjen e komunikimit dhe mësimit reciprok, për nxitjen e bashkëpunimit me interesa të ndërsjellta dhe për trashëgimin e miqësisë tradicionale.
Shkëmbimet njerëzore dhe kulturore janë në zhvillim e sipër, me një prirje të mirë të ndërveprimeve. Është nënshkruar marrëveshja për vendosjen e Qendrës Kulturore Kineze në Shqipëri, e cila do të bëhet një skenë më e gjerë për shkëmbime kulturore. Rrjeti i mësimit të kinezishtes në Shqipëri dhe ai i mësimit të shqipes në Kinë po zgjerohen ditëpërditë. Universitetet e dy vendeve kanë nënshkruar shumë dokumente bashkëpunimi, duke çuar shkëmbimet mes tyre në rrugën e re.

Seminari për Teknologjitë e Transmetimit

Disa nga vendet e përfshira në nismën e re “Një brez, një rrugë” ishin pjesëmarrëse në seminarin e organizuar nga Qendra e Trajnimeve Ndërkombëtare në Pekin “On Radio, Television and Video Broadcasting Technologies fort Belt and Road Countries”. Seminari i konceptuar në formën e leksioneve nga autoritete në fushën e teknologjisë, transmetimit audio-vizual, të inteligjencës artificiale, historisë dhe kulturës kineze rezultoi të ishte formati i duhur për të mësuar më shumë në lidhje me zhvillimet e fundit teknologjike në këtë vend që tashmë po përjeton rritje të jashtëzakonshme në këtë drejtim.
Në seminar përveç termave profesionalë, pjesëmarrësit mësuan sesi në Kinë gjithçka kryhej me pagesë online përmes telefonave smart, shërbimet jepeshin në të njëjtën mënyrë duke skanuar kodin përkatës në telefon, blerjet ishin shumë të thjeshta përmes telefonit të lidhur me llogarinë bankare.
Historia e qytetërimit të lashtë kinez ishte në fokus të disa leksioneve ku u shpalosën zhvillimet kryesore ndërsa dinastitë pasonin njëra-tjetrën dhe i linin Kinës një trashëgimi të pasur kulturore, ku Summer Palace, Temple of Heaven dhe Muri i Madh kinez u vizituan edhe nga pjesëmarrësit.
Seminari mblodhi pjesëmarrës nga 30 vende të ndryshme nga Europa, në Azi, Afrikë e Amerikën Qendrore. Ashtu si edhe presidenti kinez e theksoi gjatë prezantimit të nismës, se bota mund të nxjerrë mençuri dhe forcë nga rruga e lashtë e mëndafshit, e cila përmban shpirtin e paqes dhe bashkëpunimit, hapjen dhe përfshirjen, të mësuarit reciprok dhe përfitimin reciprok, ashtu edhe pjesëmarrësit në seminar mësuan dhe ndihmuan njëri-tjetrin, ndërkohë që u formuan miqësi dhe bashkëpunime.

Thesaret e trashëgimisë kulturore të Kinës


Kina është një vend ku bashkëjetojnë 65 grupe të ndryshme etnike e kulturore të cilat e kanë pasuruar secila trashëgiminë e saj në 5 mijëvjeçarë. Tre vendndodhje në Pekin, mes shumë të tjerash, tërheqin vëmendjen e miliona vizitorëve nga e gjitha bota, duke i kthyer në thesare jo vetëm të trashëgimisë por edhe të turizmit.
Pallati i Verës është një ansambël i pafund liqenesh, kopshtesh dhe pallatesh në Pekin, dikur kopsht perandorak në dinastinë Qing i përbërë nga Kodra e Jetëgjatësisë, Liqni Kunming dhe 17 ura të shenjta. Kopshti shtrihet në 2.9 kilometra katrorë, tre të katërtat e të cilave janë ujë. Pallati i verës është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s prej vitit 1998.
Guidat lokale tregojnë së kopshti u ndërtua nga perandori me rastin e 60-vjetorit të lindjes së nënës së tij dhe liqeni është në formën e pjeshkës, një frut që simbolizon jetëgjatësinë. Nëna e perandorit e pëlqeu shumë kopshtin dhe pallatin e saj, dhe jetoi shumë vite të tjera duke e shijuar atë. Vetë perandori jetoi deri në moshë të shtyrë dhe kinezët në traditën e tyre thonë se nëse sillesh mirë me nënën, të shtohet jeta.
Në Pallatin e Verës mund të kalosh të gjithë ditën dhe nuk e sheh dot të gjithin. Peizazhi natyror me kodra dhe ujë përzihet me pavijone, salla, pallate, tempuj e ura duke formuar një ansambël harmonik me vlera të padiskutueshme estetike.

Tempulli i Parajsës

Tempulli i Parajsës është një kompleks ndërtesash fetare perandorake që ndodhet në qendër të Pekinit. Kompleksi vizitohej nga perandorët e dinastive Ming dhe Qing për ceremonitë e përvitshme të lutjeve për të korra të mbara. Tempulli u shpall trashëgimi botërore në vitin 1998 dhe përshkruhet si një kryevepër e arkitekturës dhe dizenjimit të peizazhit ndërkohë që ka pasur ndikim të madh në arkitekturën dhe planifikimin në Lindjen e Largët për shumë shekuj me radhë.
Format karakteristike të arkitekturës që tregojnë menjëherë për kulturë kineze ngrihen të madhërishme mes një kopshti të madh që tashmë përdoret për shërbime. Jashtë pjesës së mbrojtur të tempullit të moshuarit kinezë, tashmë në pension, mblidhen për të ushtruar sporte të ndryshme dhe për tu shoqërizuar me njëri-tjetrin si formë e të qënit aktiv dhe të shëndetshëm. Shumë prej tyre vallëzojnë në grupe me muzikë tradicionale duke tërhequr edhe vëmendjen e vizitorëve që bëhen pjesë e këtyre aktiviteteve.

Muri i Madh Kinez

Muri i Madh Kinez është një seri fortifikimesh që u ndërtuan përgjatë kufijve historikë veriorë të shteteve të lashta kineze dhe Kinës Perandorake si mbrojtje kundër grupeve të ndryshme nomade nga stepat e EuroAzisë. Muri u ndërtua me radhë nga disa dinasti dhe për ndërtimin e tij u sakrifikuan jetët e miliona njerëzve. Disa pjesë të murit u ndërtuan që në shekullin e 7 para erës sonë, ndërsa seksioni më i njohur i murit u ndërtua nga dinastia Ming.
Së bashku, muri shtrihet nga Liaodong në lindja në perëndim, përgjatë një harku që vijëzon kufijtë e stepave mongole, me gjatësi 21,196.18 km në total. Sot, sistemi mbrojtës i Murit të Madh njihet si një nga ndërtimet arkitekturore më impresive në histori.
Të ngjitësh Murin e Madh Kinez je një hero, thuhet në traditën kineze, por po ashtu njerëzit tregojnë përulësi dhe respekt pasi miliona njerëz janë varrosur aty gjatë ndërtimit të tij. Panorama që shfaqet nga njëra fortifikatë në tjetrën është e jashtëzakonshme ndërsa kodrat e gjelbëruara shfaqen njëra pas tjetrës në sfondin e shkëmbinjve kërcënues. Ngjitja e murit është ritual për njerëzit, pasi mes shumë turistëve, edhe shumë vendas, madje edheme fëmijë, ngjisnin shkallët në një eksperiencë të lodhshme por që në fund ia vlen.

Harbin, qyteti i diversitetit

Sapo zbret në Harbin, së pari mrekullohesh më qiellin e kaltër dhe erën e freskët edhe në ditët më të nxehta të gushtit. Qyteti ruan gjurmët e një historie të pasur me shumë shtresa të njëpasnjëshme, të ruajtura nga vendasit dhe nga autoritetet.
Kryeqendër e provincës Heilongjiangm Harbin është një prej 100 zonave urbane më të mëdha në botë. Emri i tij në gjuhën mançure do të thotë “një vend për tharjen e rrjetave të peshkimit”, por Harbin u rrit nga një vendbanim i vogël rural në një nga qytetet më të mëdha të Kinës Veriore. Themeluar në vitin 1898 me ardhjen e Hekurudhës Kineze Lindore, së pari qyteti prosperoi si një rajon i banuar nga shumicë dërrmuese e emigrantëve nga Perandoria Ruse e gjurmë të kësaj periudhe gjenden kudo në qytet. Në vitet 1920, qyteti konsiderohej si kryeqyteti i modës në Kinë pasi modelet e reja vinin nga Parisi dhe Moska përpara se të arrinin në Shanghai.
I njohur për dimra të ashpër, Harbin kurorëzohet si Qyteti i Akullt për shkak të turizmit dimëror dhe atraksioneve, i njohur për festivalin e skulpturave të akullit.
Qyteti nga ana tjetër, si një nga zonat e para të çliruara në Luftën e Dytë Botërore, njihet edhe si vendi i parë ku u zbatua reforma e tokës. Dëshmi dhe dokumente të kësaj reforme ruhen në muzetë e qytetit.
Katedralja e Shën Sofisë pranë lagjes tregtare ruse ngrihet e mrekullueshme në qendër të qytetit. Ajo konsiderohet si vepër arti monumentale dhe është kisha më e madhe ortodokse në Lindjen e Largët.

Përdorimi i teknologjisë

Vizitat në disa rrjete radio-televizive në Harbin ishin qershia mbi tortë për grupin. Teknologjitë e avancuara në transmetin, përdorimi i inteligjencës artificiale në gjuhën e shenjave, studiot e mirëpajisura dhe produktet e larmishme të platformave televizive ndezën kuriozitet për të mësuar më shumë.
Teknologjitë e reja të transmetimit kanë transformuar mënyrën e jetesës në këtë vend, ku platformat e ndryshme shërbejnë jo vetëm për të marrë informacion por edhe për shërbime dhe gjithashtu, blerje apo funksione të tjera. Përdorimi i teknologjisë ka arritur shtrirje të gjerë në popullsi, ndërsa po dalin ngadalë jashtë funksionit rrjetet kabllore.