
Në Shqipëri, gjithnjë e më shumë, nxënësit po zgjedhin shkollat profesionale, për të gjetur veten shpejt në tregun e punës.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se, rreth 18 279 të rinj kanë zgjedhur të studiojnë në arsimin e mesëm profesional në 23 drejtime mësimore.
Po ashtu, ajo informoi se janë 1574 mësimdhënës që japin kontributin e çmuar për Arsimin dhe Formimin Profesional në Shqipëri.
“Arsimi Profesional, është një mjet i fuqishëm për t’i dhënë të rinjve një mundësi punësimi të sigurt për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”, tha ajo.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit, pjesa më e madhe e të rinjve punësohen duke ndjekur ende studimet.
Studimet e ndryshme kanë nxjerrë në pah se Shqipërisë i mungojnë punëtorë të kualifikuar në industrinë tekstile, industrinë ushqimore, në vendosjen e skelave të ndërtimit, në mirëmbajtjen e makinerive industriale, në industrinë elektromekanike. Gjithashtu mungojnë saldatorë, elektricistë, kuzhinierë, guida turistike, gjeologë, minatorë, specialistë ashensorësh, etj.
Për të plotësuar këtë hendek, qeveria po i kushton vëmendje zhvillimit të shkollave profesionale. Në 35 shkolla profesionale në të gjithë Shqipërinë ofrohen 23 drejtime mësimore për t’u bërë profesionist.
Gjithashtu me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO), MFE ka nënshkruar Programin Vendor të Punës së Denjë 2023-2026, i gjashti i këtij lloji.
Fokus i kësaj nisme është një projekt që do të angazhojë fonde të qeverisë shqiptare dhe të Bashkimit Europian për të garantuar vende pune dhe jetesë të denjë. Autoritetet vlerësojnë me shumë rëndësi dialogun social, ku bashkëpunimi me agrobiznesin dhe biznesin ka një rol kryesor, në proceset e vendimmarrjes për politikat e punësimit.
Ekspertët vlerësojnë se zhvillimi i aftësive për punësim është thelbësor për një ekonomi më të fortë në Shqipëri.
Pak kohë më parë Patrik Meier, Zv. Shef i Misionit, në Ambasadën e Zvicrës në Tiranë, bashkë me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë u angazhuam në një seminar për t’u konsultuar mbi programet zvicerane në fushën e arsimit profesional.
Aktorë kyç (ministri, agjenci, shkolla profesionale, biznes dhe akademikë) diskutuan se si Zvicra mund të mbështesë më tej zhvillimin e aftësive.
“Shqipëria mund të krenohet me atë çka është arritur tashmë dhe Zvicra është gati të mbështesë reformat aktuale në arsimin profesional dhe punësimin”, tha Patrik Meier, Zv. Shef i Misionit, Ambasada e Zvicrës.
