Produktet bujqësore të ekselencës “shkojnë” në Japoni, Krifca: Prezantim i shkëlqyer

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca pjesë e delegacionit shqiptar, të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, në Japoni, prezantoi ekselenca të bujqësisë shqiptare, pranë komunitetit të biznesit japonez.

Ministrja Krifca u takua në Tokjo me sipërmarrësit japonez, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Japoni, delegacioni i nivelit të lartë shqiptar.

Krifca percolli  me anë të fotove në rrjete sociale momente nga atmosfera e shkëlqyer që u krijua gjatë prezantimit si një pikë takim mes dy kulturave, sa të ndryshme aq dhe të fokusuara  tek bujqesia, ushqimi i mirë dhe jetesa e shëndetshme. Krifca  vuri në dukje se, kryefjalë e diskutimit ishte zgjerimi i eksporteve bujqësore shqiptare në tregun japonez dhe tërheqja e investimeve japoneze në sektorin agro.

“Prezantuam sot ekselenca të bujqësisë shqiptare, pranë komunitetit të biznesit japonez, blerës të prodhimeve bujqësore për një treg me 125 milionë banorë. Folëm për tërheqjen e investimeve, më shumë turizëm, shkëmbim tregtar, eksporte bujqësore të peshkut, bimëve mjekësorë aromatike, mjaltit, verës dhe vajit të ullirit në Japoni”, -u shpreh Krifca. Gjatë prezantimit të pranishmit  u njohën dhe shijuan produktet e ofruara nga prodhuesit shqiptar si Rigersi nga Kantina Arbri, dhe Filipi nga Filipi and Co, të cilat u pritën mjaft mirë, si një degustim i parë me synimin për t’u afruar më tej në tregun japonez. “Krenarë për prodhimin shqiptar”,- u shpreh ministrja Krifca.

Në agjendën e kësaj vizite më herët ministrja Krifca u takua edhe me kryetarin e Kuvendit të Japonisë, Hiroyuki Hosoda.

Ku fokus i diskutimeve ishte nxitja për më shumë shkëmbim tregtar, në bujqësi, në turizëm, manifakturë e digjitalizim.

Krifca e cilësoi nder të veçantë takimin me Hiroyuki Hosoda dhe mjaft produktiv shkëmbimin e informacionit me anëtarët e grupit të miqësisë Japoni-Shqipëri, në Kuvend.

“Folëm gjerë e gjatë për Shqipërinë, rolin në Këshillin e Sigurisë, njerëzit e saj punëtorë e të palodhur, nxitjen për më shumë shkëmbim tregtar, në bujqësi, në turizëm, manifakturë e digjitalizim dhe këtë miqësi me rëndësi strategjike”, u shpreh Krifca.

Agjenda e visitës zyrtare në Japoni e delegacionit shqiptar të kryesuar nga kryeministri Edi Rama ka zhvillimin e një sërë takimesh, në kuadër të forcimit dhe thellimit të bashkëpunimeve mes dy shteteve, duke rikonfirmuar miqësinë mes dy vendeve, si edhe angazhimin e ndërsjellë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në sferën dypalëshe dhe shumëpalëshe, në përballimin e sfidave së bashku si miq dhe aleatë që ndajnë të njëjtat vlera”.

Viti 2022 shënoi 100-vjetorin e marrëdhënieve të miqësisë mes Shqipërisë dhe Japonisë.