Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë një vizite në Shirokë të Shkodrës u bëri thirrje peshkatërëve për të rritur bashkëpunimin me pushtetin vendor dhe qendror me qëllim forcimin e ekosistemit natyror dhe kthimin e kësaj pasurie natyrore në një motor gjenerimi të ekonomisë për banorët e zonës.
Ministrja Denaj, u shoqërua në këtë vizitë nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, si dhe kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci.
“Në vizitën e parë në terren në Shirokë, së bashku me kolegen Spiropali, të mikpritur nga Kryetari i Bashkisë Benet Beci dhe përfaqësuesit e shoqatës së menaxhimit të peshkimit, biseduam mbi të gjitha problematikat që ata kanë”, bëri të ditur Denaj përmes rrjeteve sociale.
“Këta peshkatarë, që jetën e tyre e kanë lidhur me peshkimin, nuk shërbejnë vetëm për familjet e tyre, por dhe për numrin e madh të turisteve vendas dhe të huaj, që gjatë këtij viti arritën shifra rekord”, vijoi ajo
Denaj bëri të ditura dhe pikat mbi të cilat u diskutua me peshkatarët. “Gjatë bisedës me ta diskutuam mjaft çështje si gjuetia pa kriter, pamundësia për të krijuar njësi ekonomike për kultivimin e peshkut, si dhe heqja e rrethimeve amatore”, sqaroi Denaj.
“Ftova anëtarët e kësaj shoqate që të rrisin bashkëpunimin me pushtetin vendor, me besimin që me kryetarin shume aktiv të bashkisë, Benet Beci, liqeni i Shkodrës, si pasuri natyrore të marrë vëmendjen e duhur duke u kthyer në motor gjenerimi ekonomie për banorët e kësaj zone, por mbi të gjitha për ekosistemin tonë natyror”, përfundoi ajo.