Një bashkëpunim i ri midis Sekretariatit Shtetëror të Zvicrës për Çështjet Ekonomike, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Qendrës Ndërkombëtare të Tregtisë nisi sot me synim përmirësimin e rritjes së eksporteve të agropërpunimit.
Në aktivitetin lançues tek Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ministrja Frida Krifca njoftoi programin e ri për promovimin e tregtisë, i cili do të mbështesë sektorin e agrobiznesit në Shqipëri me synim krijimin e një rritjeje të qëndrueshme të eksporteve.
“Më vjen mirë që një agjenci prestigjioze, nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara dhe të Organizatës Botërore të Tregtisë, i bashkohet punës për të arritur objektivin tonë për produkte shqiptare cilësore dhe konkurruese. International Trade Agency do të jetë energjia më e re që ne po çojmë tek disa nga kampionët e prodhimit dhe të eksporteve tona siç janë: fruta-perimet, vaji i ullirit dhe bimët mjekësore”, tha Krifca.
Sipas ministres, “bujqësia shqiptare vazhdon të regjistrojë rritje, por rruga jonë është ende e gjatë për t’u konsoliduar me produktet tona në tregjet e nivelit të lartë”.
“Bujqësia shqiptare po shndërrohet në një eksportues të fuqishëm rajonal të produkteve të freskëta me 500 milionë dollarë eksporte për vitin 2022 duke përmbushur ritmin e rritjes së vendosur si objektiv madhor, atë të 1 miliard dollarë eksporte në vitin 2030”, u shpreh Krifca.
Zv/kryetari i misionit në ambasadën e Zvicrës, Patrik Meier tha se “Shqipëria ka pasur përparim të mirë me eksportet bujqësore në vitet e fundit, por ka ende potencial për t’u shfrytëzuar”.
Sipas tij, “ndërmarrjet në Shqipëri ende kanë rrugë për të bërë për të plotësuar standardet ndërkombëtare dhe europiane të cilësisë për t’u përputhur me pritshmëritë e tregut”.
Me programin e ri të financuar nga qeveria zvicerane, Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë do të punojë ngushtë me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me organizatat që mbështesin biznesin, dhe me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për të forcuar kapacitetet, sistemet dhe rregullat me qëllim që të rriten eksportet bujqësore dhe ushqimore, dhe të përmirësohet gama dhe cilësia e tyre.
Projekti do të fokusohet tek konkurrueshmëria dhe rritja e qëndrueshme e eksporteve të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, dhe tek përmirësimi i kapaciteteve të organizatave që mbështesin biznesin për të dhënë shërbime cilësore. Një element i fortë i gjithëpërfshirjes parashikohet brenda projektit, duke shënjestruar gratë në agrobiznes.
Asistenca do të përfshijë produkte bujqësore sipas kërkesave të tregjeve ndërkombëtare, transformimin digjital, dhe respektimin e parimeve të qëndrueshmërisë. Përfituesit, përfshirë qeverinë dhe institucionet sektoriale nën varësi, do të mbështeten për të marrë një qasje strategjike ndaj zhvillimit të sektorit.
Përmes metodologjisë së zhvilluar nga Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë, pritet që mbështetja e re të prezantojë mënyra inovative në prodhim dhe në hyrjen tek tregjet ndërkombëtare. Programi është pjesë e bashkëpunimit zviceran në Shqipëri i cili përfshin mbështetjen për zhvillim ekonomik dhe punësim.