Për të katërtin vit radhazi, Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural nisi sot fushatën për mbrojtjen e gështenjës nga grerëza e zezë, në zonën e Reçit, në Malësinë e Madhe.

Në nisjen e këtij procesi ishte e pranishme dhe ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural Frida Krifca.

Në takimin me specialistë e fushës dhe familje që kultivojnë gështenjën, ministrja Krifca përshëndeti punën e tyre ndër vite për ruajtjen e dhe kultivimin e gështenjës si një pasuri e trashëgimisë sonë natyrore, teksa shprehu angazhimin e MBZHR për mbrojtjen biologjike, me qëllim ruajtjen e cilësisë së gështenjës.

“Ne prodhojmë diku 5-6 mijë tonë gështenja në vit dhe janë rreth 2500 hektarë të shpërndara në të gjithë Shqipërinë. Në zonën e Malësisë së Madhe, në Reç, Gruemirë, në Shalë të Shkodrës, në masivin e madh të Tropojës, ne duam që ato familje bujqësore, të cilat jetojnë përmes gështenjës të kenë mundësinë të jetojnë me dinjitet. Ndërkohë, duam të forcojmë sektorin e gështenjës, sepse është një produkt i rëndësishëm edhe për eksportet bujqësore që ne kemi, pasi 25 % e prodhimit të gështenjës në rang vendi shkon drejt vendeve të Europës si eksport bujqësor”, tha ministrja.

“Kjo metodë e certifikuar nga BE siguron ruajtjen dhe mirëmbajtjen pa pasur nevojën e përdorimit të kimikateve duke garantuar cilësinë e këtij produkti shumë të kërkuar në tregun vendas dhe ndërkombëtar”, tha Krifca.

Mirëmbajtja dhe ruajtja e gështenjës u bë e mundur përmes një insekti të krijuar në kushte laboratorike në laboratorë të certifikuar europianë, i cili përjashton përdorimin e pesticideve ose formave të tjera që kanë efekte jo shumë të ndjeshme. Kjo është një nga mënyrat më efikase për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e gështenjës, që aplikon sot çdo vend i Bashkimit Europian.

Në zonën e Reçit ka kultura të gështenjës 300-vjeçare të trashëguara brez pas brezi nga familjet që merren me kultivimin e gështenjës. Kryetari i bashkisë së Malësisë së Madhe Tonin Marinaj, e vlerësoi rolin e MBZHR dhe qeverisë në këtë proces që kërkon jo vetëm mbështetje financiare, por dhe burime të shtuara njerëzore siç janë specialistët e fushës të cilët do të merren direkt me hedhjen në plantacionet e gështenjës të insektit që lufton grerëzën.

Sipas studimeve shkencore, grerëza e gështenjës konsiderohet si një ndër insektet më dëmprurës në plantacionet e gështenjave.

Të dhënat e EPPO (Organizata Europiane për Mbrojtjen e Bimëve) tregojnë se grerëza e gështenjës prek gati të gjitha speciet e gështenjës që nga Kina, Japonia, Amerika dhe Europa.

Kjo grerëz konsiderohet dëmtuesi numër një në plantacionet e gështenjave. Mbrojtja e gështenjës nga grerëza galëformuese është direktivë e Komitetit Europian që detyron çdo vend të marrë masat mbrojtëse kundër grerëzës së gështenjës.

Gështenjat e vendit tonë dhe mjalti që prodhohet prej tyre njihen për vlerat e rralla kurative dhe kërkesat e larta për treg brenda e jashtë vendit, duke e kthyer gështenjën në një ekonomi shtesë për të ardhurat e familjeve që merren me këtë aktivitet në zonat më veriore të vendit. Eksportet e gështenjave “Made in Albania” rriten çdo vit duke gjeneruar miliona euro të ardhura në ekonominë e vendit. Pjesa më e madhe e prodhimit eksportohet në Itali, ku dhe përpunohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Explore More

AKU: Kontrollet për sigurinë ushqimore sipas BE-së, garantojmë konsumatorin nga ferma në tavolinë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare garantuan sot konsumatorin se ushtrojnë jo vetëm kontrolle të vazhdueshme, por edhe sipas protokolleve europiane të sigurisë ushqimore në

Eksportet, Denaj: Bujqësia me objektiv të qartë 1 miliard në 2030, synojmë tregjet elitare

“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po ecën në mënyrë të sigurt drejt arritjes së objektivit për 1 miliard dollarë eksporte bujqësore deri në vitin 2030, siguri që mbështetet në

Ministrja Krifca me homologun japonez: “Rrisim kuotat për eksportin e tonit në Japoni, hapim tregje të reja për prodhimet ekselente bujqësore”

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, gjatë vizitës zyrtare në Japoni u takua me ministrin e Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit, KATSUMATA Tataaki. Gjatë takimit, ministrja Krifca vlerësoi rëndësinë