
Nëntori shënon pjesëmarrje në forume të nivelit të lartë, festimin e 33 viteve të historisë dhe prezantimin e vizionit të ri të ndikimit social në rajon
Nëntori ka qenë një muaj i rëndësishëm për FED invest, i cili ka shfaqur më fort se kurrë rolin e tij si institucioni më i madh i financës sociale në Shqipëri dhe si partner i besueshëm për zhvillimin ekonomik të komuniteteve te ndryshme urban dhe rural. Me një sërë aktivitetesh institucioni ka demonstruar qartë se vizioni i tij nuk kufizohet vetëm te ofrimi i shërbimeve financiare, por shtrihet drejt forcimit të kapaciteteve të bizneseve, rritjes së cilësisë dhe krijimit të ndikimit të qëndrueshëm në vend.
Forumi Kombëtar i Cilësisë & Kongresi i KASH (UNIDO – SECO), FED invest në mbështetje të sipërmarrjeve për standardizim dhe rritje
Një nga ngjarjet më të rëndësishme të muajit ka qenë pjesëmarrja e FED invest në Forumin e 3-të Kombëtar të Cilësisë dhe Standardeve, si dhe në Kongresin e 5-të të KASH, aktivitet i organizuar nga UNIDO dhe SECO. Ky forum mblodhi së bashku aktorë publikë dhe privatë, përfaqësues nga sektori industrial, ekspertë të tregtisë, sipërmarrës dhe institucione financiare që ndajnë një objektiv të përbashkët: rritjen e përputhshmërisë me standardet e Bashkimit Europian dhe rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimit vendas.
Në këtë aktivitet, Administrator i FED invest, Perlat Sulaj, ishte një nga folësit kryesorë në panelin kushtuar mbështetjes së sipërmarrjeve në orientimin drejt tregut europian. Ai theksoi se bizneset shqiptare, veçanërisht ato të sektorit agroushqimor dhe agro-përpunimit, kanë nevojë për një kombinim të dy elementëve: financim të favorshëm dhe shërbime jo-financiare që i ndihmojnë të rriten me cilësi. Z. Sulaj solli në vëmendje rolin e rëndësishëm që FED invest ka luajtur vitet e fundit në këtë drejtim, përmes qasjes së zgjeruar në financim dhe forcimit të kapaciteteve të bizneseve në bashkëpunim me institucione publike dhe partnerë ndërkombëtarë. Ai veçoi gjithashtu kontributin e Qendrës ABA, e cila ka mbështetur dhjetëra biznese duke i ofruar asistencë teknike, njohuri mbi praktikat më të mira duke demostruar proceset, digjitalizimit dhe ofrimin e trajnimeve online dhe fizike. www.abaonline.al
Duke qenë se cilësia është kusht për hyrjen në tregjet e BE-së, por edhe një faktor kyç për rritjen e qëndrueshme të bizneseve të vogla dhe të mesme, FED invest ka theksuar sërish gatishmërinë për të luajtur një rol aktiv në transformimin e sipërmarrjeve lokale. Ky angazhim, i mbështetur nga bashkëpunime të reja dhe partneritete strategjike, konfirmon pozicionimin e institucionit si një ndër aktorët më të rëndësishëm në zinxhirin e zhvillimit rural dhe ekonomik.
33 vite besim, solidaritet dhe ndikim social në komunitet
Nëntori përkoi edhe me një tjetër moment të rëndësishëm: shënimin e 33-vjetorit të kredisë së parë e cila ështe dhëne Gjinar të Elbasanit, më 10 nëntor 1992 duke shkruar fletët e para të librit të madh të historisë sonë që sot është simbol i suksesit. Pas 33 vitesh pune të palodhur dhe sakrificash, SHKK FED invest është shndërruar në kooperativën financiare më të madhe në vend, e pranishme në çdo zonë të Shqipërisë dhe në shërbim të mbi 3,000 fshatrave përmes një rrjeti prej 54 degësh. Tre dekada më vonë, FED invest vazhdon të mbetet i përkushtuar ndaj vlerave që e kanë shoqëruar që nga dita e parë: besimi, solidariteti dhe përkushtimi ndaj anëtarëve.
Përvjetori është shfrytëzuar jo vetëm për të reflektuar mbi të shkuarën, por edhe për të ripërtërirë misionin për të ardhmen. Sot, institucioni është shndërruar në një rrjet të gjerë shërbimesh financiare e jofinanciare që mbështesin individët, familjet dhe bizneset në çdo cep të vendit. Mesazhi që e ka shoqëruar këtë datë ka qenë i qartë: FED invest do të vazhdojë të punojë me të njëjtin përkushtim për të sjellë mundësi të reja, për të forcuar mirëqenien ekonomike të komuniteteve rurale dhe për t’i mundësuar bizneset të rriten me standarde dhe dinjitet.
Nga vizioni në impakt: Filozofia e FED invest për mikrofinancën moderne
Në vijim të këtij muaji të ngarkuar me dinamika, FED invest u përfaqësua gjithashtu në Konferencën Ndërkombëtare “MICROBALKANS25”, një prej eventeve më të rëndësishme rajonale në fushën e mikrofinancës. Në këtë aktivitet, Perlat Sulaj mbajti një fjalë mbi temën “Nga vizioni, në impact”, ku theksoi se mikrofinanca nuk është thjesht një instrument për t’i dhënë hua individëve apo bizneseve të vogla, por një mekanizëm i cili prodhon ndikim real, afatgjatë dhe me vlerë sociale. Ai solli shembuj konkretë të mënyrës se si FED investka ndihmuar komunitetet të zhvillohen jo vetëm ekonomikisht, por edhe në aspektin e fuqizimit social dhe profesional.
Në këtë konferencë u vu në dukje se vizioni i institucioneve financiare duhet të shoqërohet me angazhim konkret në terren dhe me rezultate të matshme që kontribuojnë në përmirësimin e jetesës së njerëzve. Kjo qasje është tashmë një pjesë e pandarë e strategjisë së FED invest, i cili synon të zgjerojë më tej ndikimin e tij pozitiv në vitet që vijnë.
Të tre aktivitetet e zhvilluara gjatë nëntorit – forumi kombëtar, konferenca ndërkombëtare dhe përvjetori i 33-të – formojnë një tablo të qartë të angazhimit të institucionit për të qenë një aktor serioz në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Kjo dëshmon se FED invest vazhdon të ndërtojë ura bashkëpunimi, të forcojë pozicionin e tij dhe të promovojë vlera që shkojnë përtej shërbimit financiar: cilësi, integritet, vizion dhe besim