Bashkimi Evropian, së bashku me Gjermaninë dhe Suedinë, po bashkëpunojnë me qeverinë shqiptare për të nxitur innovacionin dhe sipërmarrjen përmes programit EU4Innovation, një nismë që synon transformimin e Shqipërisë drejt një ekonomie të bazuar në dije dhe teknologji.

Ambasadori suedez Niklas Ström dhe Shefja e Bashkëpunimit të Delegacionit të BE-së, Ritva Heikkinen, vizituan bizneset e reja të ngritura nga fermerët e rinj në kuadër të programit, duke vlerësuar ndikimin e dukshëm të fondit të BE-së në zhvillimin lokal dhe krijimin e vendeve të reja pune.

Niklas Ström u shpreh se “Startup-et e mbështetura nga Challenge Fund në Divjakë, Dimal dhe Berat në fushën agro dhe të shërbimeve tregojnë se kanë pasur një impakt dhe zhvillim falë kësaj mbështetje. Suksesi i këtyre bizneseve tregon fuqinë e inovacionit dhe mbështetjen e qëndrueshme për komunitetet lokale”.

Ndërsa Ritva Heikkinen deklaroi se “Është kënaqësi të shohësh idetë e sipërmarrësve të shndërrohen në biznese të lulëzuara dhe mundësi të reja për të rinjtë. Inovacioni është çelësi për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë shqiptare. Përmes këtij programi forcojmë ekosistemin e inovacionit, ofrojmë financime të ndryshme për bizneset dhe inkurajojmë bashkëpunimin midis universiteteve, bizneseve dhe qeverisë”.

“Shqipëria është plot me sipërmarrës dhe ka një frymë të vërtetë sipërmarrëse. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë inovatorët e Shqipërisë. Ne duhet të bashkojmë forcat për të ndërtuar një ekonomi inovacioni dhe rritjeje të qëndrueshme që sjell vende të reja pune dhe më të mira për qytetarët e Shqipërisë”, tha përfaqësuesja e Bashkimit Evropian Ritva Heikkinen.

Gjatë vizitës në kuadër të programit EU4Innovation, ambasadori Ström dhe përfaqësuesja e BE-së Heikkinen e vlerësuan pozitivisht punën e disa bizneseve të reja shqiptare që po sjellin modele inovative dhe të qëndrueshme zhvillimi.

Një nga bizneset e sukseshme që ka mbështetur  programi është Biolive, një sipërmarrje e themeluar në 2023 në Divjakë, që prodhon vaj ulliri ekstra të virgjër dhe tashmë eksporton në Zvicër, Holandë dhe Dubai, duke punuar me mbi 600 fermerë shqiptarë. Përveç Biolive, u vlerësua edhe puna e “Rinora Handmade”, që kultivon sfungjerë natyralë “loofah” me model prodhimi të ciklit të mbyllur.  

Ndër to, Sugo.al shquhet për prodhimin e salcës së domates natyrale pa aditivë kimikë, duke u fokusuar në cilësi dhe në zgjidhje të gjelbra për sektorin HORECA. Ndërsa Crystal Team, një biznes me ndikim social në Berat, ofron shërbime pastrimi, kopshtarie dhe kujdesi për të moshuarit, duke fuqizuar ekonomikisht nënat nga komunitetet rome dhe zonat e margjinalizuara.

“Rinora Handmade”  Startup-i shqiptar që kultivon sfungjerë natyralë dhe sfidon tregjet ndërkombëtare

Në fushat e Dimalit, një startup familjar po sjell një inovacion të rrallë në bujqësinë shqiptare. “Rinora Handmade”, i drejtuar nga Rakipi, kultivon luffa – sfungjerin natyral që përdoret për kujdesin e trupit dhe pastrimin ekologjik të shtëpisë  duke u bërë i pari në Shqipëri dhe i dyti në Europë që ndjek një model prodhimi me cikël të mbyllur ekologjik.

“Pasi është vjelë luffa në fushë, bëhet larja paraprake, thahet dhe më pas i nënshtrohet një larjeje përfundimtare me presion të lartë 200 gradë. Ndryshe nga perimet apo frutat e tjerë, puna me luffën fillon pas vjeljes. Pas heqjes së saponinës, produkti pastrohet plotësisht dhe më pas pritet sipas formave të ndryshme  nga sfungjerë cilindrikë për trupin te format e personalizuara për banjën apo kuzhinën”,  tregon Rakipi.

Ai shpjegon se ky është një proces që kërkon përkushtim gjatë gjithë vitit, nga janari në dhjetor, dhe se sfidat kryesore mbeten tregu dhe mungesa e fuqisë punëtore.

“Tregu është i vështirë, nuk e njohin të gjithë produktin. Kryesisht shesim online dhe kemi kërkesa për eksport, por synojmë që konsumatori shqiptar të jetë përfituesi kryesor. Nuk kemi qëllim vetëm fitimin – duam të promovojmë një produkt natyral shqiptar”.

Përveç cilësisë së lartë të fibrës së luffës shqiptare, Rakipi thekson edhe aspektin ekologjik të punës së tyre.

“Luffa që kemi në Shqipëri, pa modesti, është më e mira në botë. Kemi krijuar një proces që nis me fermentimin për ta zbardhur, dhe përdorim një cikël ekologjik për produktet tona. Vaditjen dikur e bënim me naftë, tani kemi investuar për ta bërë me energji elektrike. Edhe plastmasin që përdorim për mbrojtjen e ujit e kemi sjellë nga Kosova, pasi është i biodegradueshëm”, tha ai.

“Rinora Handmade” është një biznes familjar, ku punojnë kryesisht gratë e zonës.

E lindur nga një përvojë pune në Vietnam, mbështetur nga EU4Innovation ideja e luffës shqiptare është shndërruar në një shembull frymëzues se si inovacioni, përkushtimi dhe ekologjia mund të bashkohen në një produkt “Made in Albania” që po ngjall interes edhe në tregjet ndërkombëtare.

Programi EU4Innovation, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), dhe i zbatuar nga GIZ Shqipëri dhe Ambasada Suedeze në Tiranë, ka një fond prej 10 milionë eurosh për startup-et dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Duke ofruar financime të ndryshme, aisynon të krijojë një ekosistem të qëndrueshëm inovacioni dhe të pozicionojë Shqipërinë si një qendër rajonale për ide të reja, sipërmarrje dhe bashkëpunim ndërkombëtar në teknologji.

Challenge Fund, si një komponent kyç i programit, i zbatuar nëbashkëpunim me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim,me një fond prej 1 milion euro, ka mbështetur 56 startup-e fituese nga 637 aplikime, nga 43 qytete dhe 22 sektorë të ndryshëm.